Samsung Galaxy S8 thyen iPhone 7 në testin e fuqisë

Samsung i ri duket se më në fund do të mund të thyejë Apple në një nga pikat më të forta të kompanisë amerikane në tregun e smartphone-ëve: fuqinë.
Dy kompanitë kanë qenë në luftë prej pothuajse dhjetë vitesh tashmë dhe çdo model që prodhohet menjëherë i rrëmben qendrën e vëmendjes produktit të kompanisë tjetër.
Ndonëse Samsung ka prodhuar shumë celularë të mirë që mund të konkurrojnë më iPhone-ët në çdo nivel, linja Galaxy nuk ia ka dalë kurrë të mundë rivalin kryesor në termat e fuqisë së procesimit. Por kjo duket se do të ndryshojë me S8 dhe S8+.
Samsung do të prezantojë në vetëm një javë e gjysmë modelin e tij të ri në një konferencë në New York, por ne tashmë dimë se si do të duket pas rrjedhjeve të shumta të fotove.
Tashmë me një tjetër rrjedhje informacioni dimë edhe se si aparati ia del në testet e performancës.
Dy teste të ndryshme tregojnë se aparatët më të rinj të Samsung arritën të marrin 1913 dhe 1978 pikë në testin me një procesor, dhe 6119 dhe 6375 pikë në testin me shumë procesorë.
Ndonëse në testin e parë S8-ta nuk i afrohet iPhone 7 Plus-it që teston 3500 pikë, në testin e dytë S8 mund lehtësisht iPhone-ët e fundit, të cilët nuk arrijnë dot as 5800 pikë.
Kjo është një fitore e madhe për Samsungun në letër, por mbetet për t’u parë se si do të përkthehet kjo në përdorimin real.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.