Samsung Galaxy S9, dalin fotot e para të aparatit – Çfarë pritet të ndryshojë, specifikat, kamera

Samsung po planifikon të zbulojë aparatin e ri Galaxy S9 muajin e ardhshëm në Kongresin Botëror të Celularëve. Vetë kompania ka ngacmuar publikun me përmirësimet e pritshme të kameras, ndërsa dizajni pritet të jetë pothuajse identik me atë të S8.
Por duket se tashmë kanë dalë edhe fotot e para që zbulojnë më tepër mbi këtë celular. Siç duket nga fotot që pretendohen të jenë autentike, të dyja versionet e S9 do të kenë një pamje shumë të ngjashme me S8, me ekran të plotë dhe të lakuar, duke mbajtur megjithatë edhe butonin e padëshiruar të Bixby.
Pretendimet flasin për një ekran 5.8 inch për Galaxy S9 dhe 6.2 inch për Galaxy S9+, ndërsa procesori për Shtetet e Bashkuara do të jetë Snapdragon 845. Specifikat e tjera pritet të jenë 4GB dhe 6GB Ram, hapësira 64 GB dhe 128GB.
Tek kamera, përmirësimet do të prekin hapjen e tyre, e cila do të variojë nga f/2.4 në f/1.5, çka do të thotë se do të përshtatet më mirë me dritën, si edhe do të mund të krijojë më tepër shfokusim nga pas gjatë fotove.
Pozicioni i lexuesit të shenjave të gishtit do të ndryshojë gjithashtu, duke u vendosur nën kamera, ndryshe nga S8 që e kishte në të djathtë të kamerës, çka rrezikonte të bënte kamerën me shenja.
Të dyja modelet e S9 do të kenë kamera parësore 8 megapixel, ndërsa në fund të aparatit do të ketë bokse stereo. Aparatet pritet të dalin në shitje më 16 Mars.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.