Samsung ringrihet – Shitjet rriten me 20% në T2, të ardhura rekord

Fitimet e Samsung gjatë tremujorit të dytë të vitit kanë tejkaluar edhe parashikimet më optimiste. Kjo performancë vjen falë shitjeve të gamës më të re të Samsung Galaxy, S8 dhe S8 plus, por kryesisht falë shitjeve të semi-konduktorëve.
Të ardhurat neto të kompanisë u rritën pranë rekordit të 9.6 miliardë dollarëve, gjatë tre muajve që përfunduan në Qershor, raporton vetë kompania. Shitjet ndërkohë u rritën me 20% gjatë kësaj periudhe kohore.
Të dhënat vijnë në një moment mjaft kritik për gjigandin koreano-jugor, duke qenë se pasardhësi i kompanisë është në gjyq për korrupsion dhe arrestimi i tij disa muaj më parë bëri një bujë të madhe, në një vend ku kompania ka një pushtet absolut mbi ekonominë. Ky skandal erdhi menjëherë pas atij të Samsung Galaxy Note 7, që u tërhoq nga tregu për shkak të problemeve.
Gjithsesi, nxjerrja në treg e Samsung Galaxy S8 dhe S8 plus, paçka se drejtuesi i vërtetë i kompanisë ishte nën arrest, i ka dhënë një shtysë të madhe fitimeve të Samsung. Aksionet e kompanisë në bursa u rritën menjëherë me 1.6% pas publikimit të këtyre të dhënave dhe janë pranë rekordit të këtij viti.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.