“Sanksione të zgjuara” naftës ruse – Zv/presidenti i Komisionit Europian: Të maksimizojmë presionin ndaj Rusisë!

Bashkimi Europian po përgatit “sanksione të zgjuara” kundër importeve të naftës ruse, raportoi të hënën The Times, duke cituar zv/presidentin ekzekutiv të Komisionit Europian, Valdis Dombrovskis.
“Jemi duke punuar për një paketë të gjashtë sanksionesh dhe një nga çështjet që po shqyrtojmë është një formë embargoje nafte. Kur vendosim sanksione, ne duhet ta bëjmë këtë në një mënyrë që të maksimizojë presionin ndaj Rusisë duke minimizuar dëmin kolateral ndaj vetes”, tha Dombrovskis.
Ai shtoi se detajet e sakta të sanksioneve të naftës ende nuk ishin dakordësuar, por mund të përfshinin një heqje graduale të naftës ruse ose vendosjen e tarifave mbi eksportet përtej një kufiri të caktuar çmimi.
Rusia është furnizuesi më i madh i naftës në Europë, duke siguruar 26% të importeve nga BE në vitin 2020. Europa merr afërsisht një të tretën e energjisë së saj të disponueshme bruto nga nafta dhe nënproduktet e saj, në sektorë nga transporti te prodhimi i kimikateve.
Ukraina dhe disa shtete të BE-së, përfshirë Poloninë dhe Lituaninë, duan një ndalim të naftës dhe gazit rus, ndërsa Gjermania dhe Hungaria janë kundër një embargoje të menjëhershme të naftës.
Nafta dhe nënproduktet e saj përbënin më shumë se një të tretën e të ardhurave të Moskës nga eksporti vitin e kaluar. Aktualisht, Europa shpenzon rreth 450 milionë dollarë në ditë për naftën e papërpunuar ruse dhe produktet e rafinuara, rreth 400 milionë dollarë në ditë për gazin dhe afërsisht 25 milionë dollarë për qymyrin.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.