Sanofi, GSK, marrëveshje me GAVI. Do të ofrojnë mbi 200 milionë doza të vaksinës tek aleanca e OBSH
Prodhuesi francez i barnave, Sanofi dhe GlaxoSmithKline e Britanisë, do të furnizojnë 200 milionë doza të vaksinës së tyre kandidat të Covid-19 tek një skemë botërore e vaksinimit e mbështetur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Deri më tani, nuk ka një trajtim të miratuar kundër Covid-19, që ka lënë mbi 1.16 persona të vdekur dhe vaksina e kompanive të lartpërmendura ndodhet ende në fazën 1 dhe 2 të provave, që do të japin rezultat në fund të Nëntorit. Kompanitë bënë të ditur se kanë nënshkruar një deklaratë me aleancën e vaksinës GAVI, që po koordinon skemën botërore, të njohur si COVAX.
Kjo e fundit, që synon të furnizojë 2 miliardë doza të vaksinës në të gjithë botën deri në fund të vitit 2021, ka arritur marrëveshje edhe me AstraZeneca dhe Novavax. COVAX synon të dekurajojë qeveritë kombëtare që të porosisin më shumë vaksina se ç’duhet dhe të vaksinojë të parët njerëzit me rrezik të lartë në çdo vend të botës. Mbi 180 shtete, përfshirë kinën, janë bashkuar me këtë plan, por disa, përfshirë Shtetet e Bashkuara, kanë preferuar planet e tyre të furnizimit.
Sanofi dhe GlaxoSmithKline, nënshkruan një marrëveshje prej 2.1 miliardë dollar me Washingtonin gjatë Verës për të furnizuar mbi 100 milionë doza të të njëjtës vaksinë, që synojnë ta paraqesin për miratim rregullator vitin e ardhshëm. Kompanitë kanë marrëveshje të ngjashme me Bashkimin Europian, Britaninë dhe Kanadanë. Vaksina e tyre përdor të njëjtën teknologji rekombinante të bazuar në proteina, si një prej vaksinave të gripit stinor të Sanofi. Injeksioni do të përzihet me një substancë ndihmuese që nxit vaksinën, të prodhuar nga GSK. COVAX është bashkëdrejtuar nga GAVI, OBSH dhe Koalicioni për Inovacionin e Përgatitshmërisë Epidemike.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.