Schaeuble kundër Gabriel -Në Europë nuk janë paratë problemi, por si përdoren ato

Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, i cili deri pak kohë më parë mbante postin e Ministrit të Ekonomisë, deklaroi se, Gjermania duhet të shpenzojë më shumë para për Greqinë dhe Bashkimin Europian në tërësi. Por, kreu i financave gjermane, Wolfgang Schaeuble ka kritikuar deklaratat e kolegut të tij në kabinetin qeveritar.
Gabriel ndërkohë është zëvendës kancelar, dhe përfaqësues i partisë në koalicionin qeveritar. Schaeuble nga ana tjetër, është ndër veteranët e Demokracisë Kristiane dhe për shumëkënd në Europë quhet ndryshe si falkoi gjerman, për shkak të qëndrimeve të tij mjaft strikte.
Schaeuble deklaroi se, sugjerimi i Gabriel për t`i dhënë më shumë para Greqisë shkon tërësisht në drejtim të kundërt dhe se lëshon sinjalin e gabuar. “U mërzita kur Gabriel në Greqi i dha grekëve një mesazh që nuk i ndihmon ata por e bën më të vështirë për të marrë vendime”-nënvizoi Wolfgang Schaeuble.
Ndër të tjera, ky i fundit shtoi se, të thuash që Gjermania duhet ti japë më shumë para Bashkimit Europian nuk e zgjidh problemin. ” Problemi në Greqi, ashtu si edhe në Europë nuk janë paratë, por mënyra sesi duhen përdorur këto para”-theksoi kreu i financave gjermane. Sa i përket qëndrimit të Greqisë në Eurozonë, Schaeuble deklaroi se, këtë mund ta bëjë vetëm nëpërmjet një ekonomike konkurruese.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.