Schauble: Nuk ka lehtësim të borxheve për Greqinë para përfundimit të programit

Çështja greke ishte në rendin e ditës të bisedimeve midis ministrit gjerman të financave Wolfgang Scuable dhe homologut të tij të sapoemëruar francez, Bruno Le Maire, para fillimit të takimit Eurogrupit gjatë së hënës në Bruksel.
Schuable ishte i palëkundur në pozitën gjermane në lidhje me mundësinë e një lehtësimi të borxheve për Greqinë, duke përjashtuar çdo bisedim mbi këtë çështje para se të përfundonte programi aktual.
Ministri gjerman i Financave pranoi se Greqia kishte bërë reforma të dukshme, duke shtuar megjithatë se qëllimi përfundimtar ishte të bënte ekonominë konkurruese.
“Tregjet duhet t’i besojnë Greqisë”, shtoi ai. Duke komentuar ndryshimin e opinionit ndërmjet Gjermanisë dhe FMN-së lidhur me borxhin, z. Schauble theksoi se Fondi gjithmonë ka qenë më konservativ në opinionin e tij, ndërsa ai gjithashtu iu përgjigj deklaratave të bëra nga ministri i jashtëm gjerman Sigmar Gabriel se Evropa duhet të shkurtojë borxhin grek. Schauble nënvizoi se parlamenti gjerman kishte votuar për këtë çështje në vitin 2015.
Nga ana e tij, zoti Le Maire u shpreh i sigurtë se një zgjidhje mbi borxhin grek do të arrihej brenda Eurozonës, duke deklaruar se ai duhet të kënaqë Greqinë dhe kreditorët e saj.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.