Scholz dhe Macron demonstrojnë unanimitet!
Në një konferencë të përbashkët shtypi (25.01) me presidentin francez, Emmanuel Macron në selinë e kancelarit në Berlin, kancelari Olaf Scholz u shpreh për një gjendje të vështirë përgjatë kufirit ukraino-rus. Ai sërish paralajmëroi Rusinë për pasojat e një sulmi ndaj vendit fqinj.
Edhe Macron tha, se po bëhen përgatitje për një reagim të përbashkët në rast të një agresioni duke paralajmëruar se: „Çmimi do të ishte mjaft i lartë.” Gjermania dhe Franca janë të bashkuara në konflikt dhe të dy vendet bëjnë thirrje për zbutjen e situatës. Macron sërish tërhoqi vëmendjen, se dialogu me Rusinë nuk duhet të ndërpritet.
Macron deklaroi, se do të bisedojë në telefon me presidentin rus Vladimir Putin lidhur me konfliktin në Ukrainë: “Unë të premten në mëngjes do të komunikoj me presidentin Putin.” Duke iu referuar një takimi personalisht në të radhmen me kreun e Kremlinit, Macron u shpreh për një format të përbashkët me Scholz-in.
Presidenti i Francës në sfondin e marshimit të trupave ruse theksoi rëndësinë e formatit të Normandisë. Gjermania dhe Franca në këtë kuadër konsultohen bashkë me Ukrainën dhe Rusinë. Bisedimet fillojnë të mërkurën (26.01) në Paris, sipas Macron takimi pasues do të mbahet në Gjermani.
Nisur nga lëvizjet masive të trupave ruse në afërsi të Ukrainës, Perëndimi druan se Kremlini mund të planifikojë ndërhyrjen në vendin fqinj. Konsiderohet megjithatë e mundshme që synimi është vetëm të ngjallet frikë, për t’i nxitur shtetet e NATO-s që të bëjnë lëshime konform kërkesave të Kremlinit për të dhënë garanci të reja për sigurinë.
Scholz sdhe Macron pavarësisht dallimeve përmbajtësore mes dy vendeve për tema të caktuara, theksuan vullnetin për bashkëpunim të ngushtë edhe në sektor të tjerë. Deutsche Welle
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.