Schulz ofron taksim progresiv – “Vendosim drejtësi sociale, 15 mld euro kursim për familjet”
Social demokratët që propozojnë Martin Schulz si kancelar të ardhshëm e që kërkojnë të rrëzojnë pas më shumë se një dekade në zgjedhjet e 24 shtatorit Angela Merkel, propozojnë një taksim progresiv, pra taksa më të larta për të pasurit, dhe taksa më të ulëta për të varfërit.
Në këtë mënyrë, Schulz dhe partia e tij kërkojnë të marrin mbështetje sa më të gjerë nga kategoritë e punëtorëve.
Schulz është i vetmi person që i është afruar disi në sondazhe Angela Merkel, paçka se ka ende një diferencë të theksuar.
“Ne do të ulim barrën e taksave për ata me të ardhura të mesme dhe të ulëta si dhe do të mbështesim familjet”, nënvizoi ai.
“Propozimi jonë është i mirë jo vetëm për Gjermaninë, por për të gjithë Europën”, shtoi Schulz, duke theksuar se, diçka e tillë do të nxiste kërkesën e brendshme dhe importet nga vendet brenda unionit.
Socialdemokratët kërkojnë kështu të rrisin taksën mbi të ardhurat në 45%, nga 42%, si dhe rrisin nivelin tavan nga ku kjo taksë aplikohet, nga 54 mijë euro aktualisht në 76 mijë euro.
Për ata që fitojnë më shumë se 250 mijë euro, taksa do të rritet në 48%, nga 45% që është aktualisht. Fokusi i fushatës elektorale për socialdemokratët është pikërisht drejtësia sociale.
Të majtët ndërkohë, kanë kritikuar Schulz për politikat e tij, pasi ata kërkojnë vendosjen e një takse për milionerët.
“Partia e Schulz nuk e ka kurajon të gërmojë më thellë në xhepat e të pasurve”, thonë ata. Gjithsesi, për Shculz, taksa progresive përkthehet në 15 miliardë euro kursim për familjet me të ardhura të mesme dhe të ulëta.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.