Së shpejti, marrëveshje me BE për vaksinat. Manastirliu-Soreca: “Do përmirësohet edhe infrastruktura e vaksinimit”
Qeveria shqiptare dhe Bashkimi Europian pritet të nënshkruajnë një marrëveshje për infrastrukturën e vaksinimit dhe rritjen e mëtejshme të dozave të vaksinës antiCOVID. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, dhe ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca, u shprehën se po punohet për finalizimin e marrëveshjes, gjatë ceremonisë së dorëzimit të pajisjes së re të skanerit të avancuar, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
“Sfida e rradhës e të gjithëve ne është vaksina. Dhe unë jam shpresëplotë që marrëveshja me Bashkimin Europian do të finalizohet shumë shpejt. Për të vijuar për të siguruar vaksinimin edhe në vazhdim, paralel me çfarë qeveria shqiptare është duke bërë. Ne presim javën që vjen, në fillim të javës, rreth 9 mijë doza të tjera të vaksinës Pfizer. Qeveria shqiptare aktualisht ka parapaguar dozat për 800 mijë qytetarë, qoftë nëpërmjet instrumentit Covax, qoftë nëpërmjet kontratës direkte me Pfizer-in. Dhe po vijojmë të negociojmë për të patur kontrata të tjera. Vaksnimi është sfidë, është një proces, është një qëllim në vetvete për të përshkruar me shpejtësi kilometrin e fundit drejt fillimit të fundit të pandemisë”, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë.
Gjatë ceremonisë së organizuar në ambientet e QSUT, Ministrja Manastirliu vlerësoi mbështetjen e vendeve të Bashkimit Europian në këtë vit të pandemisë. Me investimet e qeverisë shqiptare dhe mbështetjen e partnerëve, është dyfishuar flota e aparaturave jetëshpëtuese në spitale.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.