Seanca plenare – “Lëvizjet” politike para orës 18:00
Dita e hënë ka nisur me një sërë aktivitetesh që i paraprijnë seancës plenare të Kuvendit për votimin e ministrave teknik. Kështu rreth orës 10:00 qeveria Rama në mbledhjen e saj ka bërë edhe një sërë ndryshimesh sa u përket zv/ministrave.
Rama ka shkarkuar dhe ka emëruar zv/ministrat e rinj. Irena Beqiraj do të jetë zv/ministre e Financave. Rovenda Vode do të emërohet tek Ministria e Brendshme, Mira Kapisyzi në Ministria e Shëndetësisë dhe Etilda Gjonaj tek Ministria e Drejtësisë.
Por ndryshime do të ketë edhe në 7 prefektura ku qeveria ka marrë vendimin për ndryshimin e drejtuesve të tyre. Në Tiranë do të drejtojë Admir Abria, në Korçë Pandi Pando, Vasil Bregu në Fier, Arit Demiri në Elbasan, Emijlan Jani në Durrës, Ardit Kaja në Dibër dhe në Berat Valbona Zylyftari.
Ndërkohë që edhe Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka dekretuar shkarkimet dhe emërimet e ministrave teknikë pas kërkesë së bërë nga Rama. Një orë para se të mblidhet Kuvendi do të ketë një mbledhje të Komisionit të Posaçëm Zgjedhor në orën 17: 00 dhe të pranishëm do të jenë edhe anëtarët e opozitës.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.