Sejko në takimet e FMN-BB: Inflacioni po kthehet gradualisht brenda objektivit

Nga data 21 deri në 23 prill, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka marrë pjesë në Mbledhjet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, në Uashington.
Shqipëria mori pjesë në këto mbledhje me një delegacion të përbashkët të përbërë nga Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave. Çështja kryesore që mbizotëroi diskutimet, ishte gjallërimi i mëtejshëm i ekonomisë globale.
Në deklaratën e Komitetit Monetar Financiar të FMN-së vihet në dukje se “rimëkëmbja globale po merr një shtysë të re, çmimet e mallrave po rriten dhe rreziqet e deflacionit po ulen. Ndërkohë që parashikimet po përmirësohen, rritja ekonomike mbetet modeste”.
Guvernatori Sejko, zhvilloi disa takime të rëndësishme me personalitete të njohura të fushës financiare ndërkombëtare, të cilët i njohu me zhvillimet më të fundit në ekonominë shqiptare, duke u ndalur në perspektivën e rritjes ekonomike si dhe në zhvillimet e sektorit bankar.
Sipas Guvernatorit, rritja ekonomike pritet të përmirësohet më tej dhe balancat kryesore ekonomike do të forcohen gjatë viteve në vijim, ndërsa inflacioni po kthehet gradualisht në nivelin e synuar.
Lidhur me sistemin bankar në vend, Guvernatori Sejko nënvizoi se trajtimi i kredive me probleme ka qenë një ndër angazhimet e Bankës së Shqipërisë, i shoqëruar me një plan veprimi të mirëmenduar për reduktimin e tyre.
Zbatimi i këtij plani ndihmoi në zbritjen e nivelit të kredive me probleme në rreth 18%. Një tjetër çështje me rëndësi e diskutuar ishte angazhimi i Bankës së Shqipërisë në bashkëpunim me institucionet e tjera në vend, për rritjen e përdorimit të monedhës vendase në ekonominë shqiptare.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.