Sejko takim me mediat: Më shumë bashkëpunim gjatë vitit 2018
Gjatë vitit 2018 do të ketë rritje të mëtejshme të bashkëpunimit dhe mirëkuptimit me mediat, deklaroi Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko gjatë takimit të fundvitit me gazetarët e medias së shkruar dhe asaj vizive.
Sejko garantoi se në çdo rast dyert e Bankës së Shqipërisë do të jenë të hapura për t’u konsultuar dhe për të shkëmbyer pikëpamje reciproke rreth argumenteve të momentit, me qëllimin e vetëm për të rritur shkallën e sqarimit dhe të kuptimit të fenomeneve.
Në mbyllje të fjalës së tij, Guvernatori Sejko shprehu besimin në rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit dhe mirëkuptimit gjatë vitit 2018, si dhe përcolli urimet më të mira e të përzemërta për një vit të ri sa më të suksesshëm.
Gjatë këtij aktiviteti, u ndanë dhe tre çmimet e konkursit të hapur “Çmimi i Guvernatorit për Diplomën më të Mirë për vitin 2017”. Ky konkurs organizohet çdo vit nga Banka e Shqipërisë dhe i dedikohet studentëve shqiptarë të diplomuar gjatë periudhës, brenda dhe jashtë vendit, për punë kërkimore-shkencore në çështje të lidhura me ekonomiksin monetar e ndërkombëtar, stabilitetin e çmimeve dhe atë financiar, integrimin ekonomik etj.
Me çmimin e parë u vlerësua Vasilika Lushka, studente në Universitetin e Tiranës, për temën e masterit shkencor “Analiza e strukturës së tregut të sigurimeve në Shqipëri. Rregullimi dhe matja e konkurrencës në këtë treg”.
Ky studim sjell një kontribut në fushën e financës, veçanërisht në aspektin e mbikëqyrjes financiare, duke paraqitur një analizë të detajuar të përqendrimit në sektorin e tregut të sigurimeve, si për sigurimet e jetës ashtu edhe ato të jo jetës, mbi bazën e një sërë indeksesh dhe treguesish të ndryshëm mbështetur në literaturën bashkëkohore. Gjithashtu, kjo përbën një temë mjaft bashkëkohore dhe e drejton fokusin në një segment të rëndësishëm të tregut financiar që lidhet me mirëfunksionimin e tregut të kapitaleve. Metodologjitë e vlerësimit dhe konkluzionet e materialit mund të gjejnë zbatim në fushën e mbikëqyrjes financiare, veçanërisht në tregun e sigurimeve, i cili luan një rol shumë të rëndësishëm në ekonomitë në zhvillim si vendi ynë.
Me çmimin e dytë u vlerësua Joana Gjinopulli, studente në Universitetin e Tiranës, për temën e saj të masterit mbi “Vlerësimin e efekteve makroekonomike nga ndryshimet klimatike mbështetur në modelet Error Correction Mechanism dhe 2 Stage Least Square: Rasti i Shqipërisë”.
Kjo temë merr në shqyrtim një ndër sfidat më të mëdha globale, atë të ndryshimeve klimatike. Materiali sjell në vëmendje koston mjedisore të rritjes së shpejtë ekonomike – një fenomen që po analizohet gjerësisht për shkak të efekteve që ndryshimet klimatike do të kenë në ekonominë globale në dekadat në vazhdim. Materiali analizon në mënyrë empirike ekzistencën e një ekuilibri afatgjatë mes rritjes ekonomike dhe ndryshimeve klimatike për rastin e Shqipërisë.
Me çmimin e tretë u vlerësua Denisa Dervishi, studente në Universitetin Epoka, për temën e saj të diplomës mbi “Teorinë e kërkesës për para dhe aplikimi për Shqipërinë nën regjimin e inflacionit të shënjestruar”.
Ky studim përbën një temë me interes të veçantë për bankat qendrore. Ai mbështetet në investigimin e lidhjes midis kërkesës afatgjatë për para dhe inflacionit bazuar në teorinë e kërkesës. Materiali bazuar në përqasjen e serive kohore del në përfundimin se ekziston një marrëdhënie pozitive afatgjatë midis kërkesës për para dhe inflacionit në rastin e Shqipërisë gjatë periudhës 2003-2016.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.