“Sekretet e luftës”-Bilanci i luftës së britanikëve në Shqipëri; si u shpenzuan 120 mijë monedha ari në 1943-‘44!

Për një periudhë prej 18 muajsh, nga prilli i vitit 1943 e deri në lirimin e plotë të vendit në fund të 1944 mbi 150 ushtarakë dhe oficerë britanikë erdhën me misione të posaçme në Shqipëri. Kontributi i tyre financiar dhe material ishte i pallogaritshëm. Studiuesi Erald Kapri në librin e tij “Sekretet e Luftës” sjell dokumentet britanike, ku ndër të tjera jepen edhe të dhëna të detajuara se sa para u shpenzuan për luftën në Shqipëri.
“Mbi 120 mijë monedha ari u shpenzuan gjatë kësaj periudhe në Shqipëri, e cila nëse konvertohet në kohën e sotme kap shifrën e mbi 30 milionë stërlinave. Ndihma në materiale ishte akoma më e madhe. Nga ajri dhe deti erdhën 2334 ton material, si armatime, ushqime, veshmbathje e logjistikë. Për t’u përmendur, britanikët sollën 240 mortaja, 57 mijë palë këpucë apo 14 mijë palë batanije etj.pa përfshirë këtu ndihmat humanitare” shkruhet në hyrjen e librit.
Në listën e dokumenteve të arkivës britanike që publikohen për herë të parë, është edhe dosja HS/7-70 për financat e shpenzuara gjatë luftës në Shqipëri. Në përfundim të luftës, britanikët bënë një bilanc për shpenzimet e tyre financiare në Shqipëri nga oficerët e ndërlidhjes së SOE.
“Për shkak se në Shqipëri përdorej kryesisht ari, britanikët u detyruan të sjellin flori për nevojat e luftës në vendin tonë. Interesant është fakti se britanikët në fillim të vitit 1945 analizuan me hollësi mënyrën sesi këto para u shpenzuan e për më tepër se kush mori pjesën e luanit. Afërsisht një të tretën e tyre e morën komunistët shqiptarë, si pagesë direkt nën dorë ndërsa nacionalistët shqiptarë morën pothuaj 15 herë më pak” shkruhet në kapitullin 6 të librit, që përmban faksimilen dhe përkthimin e raportit origjinal.
Nga ana tjetër, humbja e floririt gjatë luftës përbënte një problem shqetësues ndaj edhe evidentohet në raport. 16 mijë monedha floriri u vodhën nga shqiptarët ose u kapën nga forcat kundërshtare. Raporti tregon se si vetëm gjeneralit anglez Dejvis iu kapën rreth 6 mijë monedha ari kur u zu rob në janar të vitit 1944.
“Të gjithë oficerëve britanikë të çfarëdo grade, që dërguam në Shqipëri, iu dha me vete një sasi e caktuar floriri, monedha të arta ose napolona, që mund t’i përdornin për të blerë ushqim apo për të siguruar strehim në çdo rast emergjence. Këto shuma, të cilat ishin një shumë e konsiderueshme parash në monedhën lokale, u përdorën te organizatat aktive të rezistencës që nga fillimi i operimit të SOE; këto fonde ishin pjesë e fondit sekret të operacioneve të sanksionuara nga Thesari. Udhëzime u përgatitën për personelin e misioneve për përdorimin e këtyre fondeve të dhëna. Të gjitha misioneve iu kërkua të respektojnë rreptësisht instruksionet financiare për mënyrën e shpenzimit të këtyre shumave të mëdha” shkruhet ndër të tjera në raport.
Raporti përmban edhe detaje interesante të mënyrës sesi oficerët britanikë përpiqeshin të shpëtonin nga grabitja pakot e parave që hidheshin nga ajri sëbashku me materialet e tjera. Në raport evidentohet gjithashtu se misionet britanike që e kishin shumë të vështrirë që të lëviznin me sasinë e floririt që u ishte akorduar e për këtë qëllim sasi të mëdha ari janë gropsur e më pas janë marrë sërish.
Kreshnik KUÇAJ /SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.