Sektori i Call Center – Studimi: Burim kryesor i të ardhurave për familjet e 90% të anketuarve
Sektori i Call Center në vendin tonë kontribuon në gjenerimin e të ardhurave për shumë familje. Në një studim i kryer prej shoqatës “Together for life “ në partneritet me “ The Olof Palme International Centre” rezulton se nga 1000 persona të anketuar, 90% e tyre pohojnë se familjet e tyre i gjenerojnë të ardhurat nga ku lloj punësimi.
“90 për qind e të anketuarve pohojnë se familjet e tyre gjenerojnë të ardhura nga ky punësim dhe ky është edhe një tregues shumë i fortë që ky sektor punëson një grup të konsiderueshëm personash të cilët mbajnë familjen dhe jep një kontribut të konsiderueshëm në ekonominë e Shqipërisë.”
Sipas përfaqësueses së shoqatës, Alma Kordonit nga monitorimi i kryer rezulton se këto kompani në përgjithësi e respektojnë Kodin e punës , por ka raste ku vërehen elementë që duhet të përmirësohen si orari i zgjatur dhe pagesa për këtë kohë .
“Për sa i përket pagës dhe pagesës për orë shtesë, mund të themi se 22.3% e punëmarrësve që punojnë në oraret e turnit të dytë 19 deri në orën 22, nuk u paguheshin orët shtesë siç e parashikon kodi i punës. Por, para se të kalojmë nga analiza e gjetjeve të gjeneruara nga pyetësori, mund të themi që nga gjithë procesi i monitorimit ka dalë që ky sektor përgjithësisht e respekton Kodin e Punës.”
Monitorimi është kryer në 10 kompani call center në 4 qytete Tiranë, Durrës, Shkodër dhe Vlorë. Në vitin 2017 në vendin tonë rezultojnë 247 kompani të tilla një numër ky në ulje krahasuar me 2016-ën ku rezultonin 363 të tillë.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.