Sektori energjetik, KLSH: Kompanitë publike, 80 miliardë lekë detyrime
Kompanitë e sektorit energjetik në vend janë në një zinxhir detyrimesh mes njëra-tjetrës që sipas vlerësimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, deri në shtator 2016 arrinin në nivelin 80.6 miliardë lekë.
Kjo situatë sipas raportit vështirëson aktivitetin normal të tre kompanive që në këtë rast janë Operatori i Sistemit të Transmetimit, Korporata Elektronergjetike Shqiptare dhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Por si ndahet borxhi total i llogaritur nga KLSH mes operatorëve.
“Detyrimi i OSHEE ndaj KESH për blerjen e energjisë elektrike është 50.9 miliardë lekë. Detyrimi OSHEE ndaj KESH për huatë afat-gjata është 11.3 miliardë lekë. Detyrimi i OSHEE ndaj OST për transmetim energjie, shërbime dhe kredi është 8.2 miliardë lekë. Detyrimi i OST ndaj KESH për energji, shërbime dhe kredi, është 10.2 miliardë lekë” thuhet në raport.
Po kështu mbetet ende një detyrim5.8 miliardë lekë i OSHEE ndaj CEZ AS në bazë të marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim . KLSH ka rekomanduar që operatorët të respektojnë masën e pagesës për detyrimet e ndërsjellta sipas përcaktimeve në marrëveshjen specifike për huatë.
Nertila Maho/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.