Sektori i energjisë në Gjermani – EON publikon humbje rekord, 2016-a një vit tranzitor

Kompania më e madhe e energjisë elektrike në Gjermani, E.ON, ka publikuar një humbje vjetore në nivel rekord prej kostove të lidhura me shkëputjen nga menaxhimi i njësisë së biznesit që gjeneron energji prej gazit dhe qymyrit. Dëmet e fundit të kompanisë prej rreth 900 milionë euro në tremujorin e katërt, e çojnë totalin në 4 vite në rreth 25 miliardë.
Për t’u përshtatur, EON ka listuar kompaninë e re të quajtur Uniper në muajin Shtator, në mënyrë që të fokusohet vetëm në energjitë e rinovueshme, elektrike dhe klientët retail.
“2016 ishte një vit tranzitor. Impakti në bilancin tonë shënon një pikë kthese për EON, duke hapur rrugën për një botë të re të energjisë”, thotë kreu ekzekutiv Johannes Teyssen.
Kompania e të njëjtit sektor RWE AG, është ndikuar gjithashtu nga rënia e marzhave që këto kompani përfitojnë për gjenerimin e energjisë elektrike në impiantet tradicionalë dhe postoi muajin e kaluar humbjen më të madhe vjetore në historik.
EON pret që të ulë borxhin neto me rreth 7 miliardë euro në një total prej 20 miliardë. Ekspertë thonë se 20 miliardë euro është ende një shumë tejet e madhe, veçanërisht nëse normat e interesit fillojnë të rriten. EON ra me 3% në rreth 6.8 euro për aksion në sesionin tregtar europian.
Humbja neto e gjeneruesit më të madh të energjisë së rinovueshme në Gjermani u zgjerua me 21% në 8.45 miliardë euro. Të ardhurat neto ranë me 16% në 904 milionë euro. Kompania ka propozuar një dividend prej 0.21 euro për aksion për 2016-ën, duke e rritur në 0.3 euro për vitin 2017.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.