Sektori minerar, raporti për 6 mujorin e parë të 2017. Lejet e pezulluara dhe masat që janë marrë për disa subjekte. Të ardhurat nga shitja dhe renta minerare e paguar

Drejtoria Minerare përmbylli raportin e mbikëqyrjes për 6 mujorin e parë të vitit 2017, ku përveç lejeve ekzistuese në sektorin minerar janë publikuar edhe masat administrative ndaj subjekteve që nuk kanë përmbushur detyrimet e kërkuara. Gjithashtu jepen të dhënat mbi numrin e personave të punësuar në sektor, prodhimin gjatë 6 muajve dhe rentën minerare të paguar për këtë periudhë.
Konkretisht, sipas këtij raporti aktualisht janë aktive 630 leje minerare, nga të cilat 312 janë në grupin e mineraleve metalore.
“Janë 13 leje bakër, 258 leje kromi, 6 leje sterile kromi, 30 leje hekur-nikel dhe nikel- silikat, 1 leje boksite, 1 leje magnez, 1 leje skorje Fe-Cr dhe nikel- sulfur, krom dhe 1 leje minerare”, thuhet në raport.
Masat administrative
Në sektorin metalor, për 19 subjekte është propozuar revokimi i lejes minerare, për shkak se nuk kanë përmbushur detyrimin për pagesën e garancisë së rehabilitimit dhe fillimin e punës. “Janë 18 subjekte të propozuara për pezullim të Lejes Minerare se nuk kanë përmbushur detyrimet e ligjit minerar, për miratimin e projekt programit. Janë marrë masa administrative për 22 subjekte se nuk kanë sjellë fare projekt program vjetor. Masa e ushtruar është 250000 lekë të reja për subjekt”, thuhet në njoftim. Sa i takon prodhimit dhe numri të të punësuarve, raporti nënvizon se prodhimi për 6 – mujorin e parë është 350228.7 ton.
“Në Sektorin Minerar Metalor janë punësuar 4242 persona, me sigurim jete 3269 persona. Ndërkohë renta minerare e paguar për 6-mujorin e parë nga sektori metalor është 304958984 lekë dhe 1212362 USD.”
Sektori jometalor
“Në sektorin jometalor është kryer matja faktike dhe dixhitalizimi i të gjitha karrierave në Republikën e Shqipërisë. Janë propozuar për revokim 51 subjekte minerare që nuk kanë paguar garancitë e rehabilitimit, si dhe janë dërguar për pezullim 16 subjekte minerare”. Gjithashtu në raport theksohet se:
-Janë njoftuara për planin e mbylljes dhe rehabilitimit, 12 subjekte
-Numri i fuqisë punëtore në sektorin jometalor është: 1478 punëtorë
-Prodhimi në total për 6-mujorin e I-rë, 2017 është: 2320755 m3
-Të ardhurat nga shitja është: 1953492556 lekë
-Renta minerare e paguar: 146214794 lekë
-Për 42 subjekte është kryer akt-verifikim dhe oponenca e projekteve të reja si dhe shtyrje afati.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.