Sektori privat i sigurisë, Dyrmishi: Nevojë për vetërregullim, shteti të vendosë kritere për cilësinë
Sektori i sigurisë private duhet të ketë më shumë aftësi për t’u orientuar lidhur me tregun, pasi kjo ndikon edhe në rënien e kërkesës.
Kështu ka deklaruar për televizionin SCAN, Eksperti sigurisë kombëtare Arjan Dyrmishi. Sipas Dyrmishit, këto subjekte ekonomike duhet të vetorganizohen ndërkohë që është i nevojshëm dhe kontrolli nga ana e institucioneve shtetërore përfshirë Ministrinë e Brendshme por edhe nga Inspektorati i Punës, për të rritur përfitimin.
“Kontrolli edhe kështu siç është, është i dobët, por që të ishte me mirë, do donte një koncept më të qartë se për çfarë e kemi këtë sektor, çfarë duhet të ofrojë dhe si duhet ta kontrollojë më mirë në mënyrë që të maksimizojmë përfitimin nga ky sektor në treg, sidomos në parandalim. Sepse kompanitë e sigurisë nuk është se kanë ndonjë rol për pjesën hetimore në çështjen e ofrimit të sigurisë”.
Sipas ekspertit të sigurisë, shteti duhet të vendos kritere për të siguruar cilësinë e kontratave dhe jo vetëm ti krijoj lehtësira kompanive që operojnë në këtë treg.
“Duhet të ketë një politikë të mirëfilltë shtetërore që ky sektor që ka tashmë këtë dimension, ka këtë madhësi ku hyn, dhe tu mësohet këtyre operatorëve sesi të hyjnë në marrëdhënie në këtë hapësirë sigurie”.
Aktualisht në treg janë rreth 260 kompani private të sigurisë nga mbi 300 që operonin më parë, me xhiro vjetore rreth 50 milion euro. Aktualisht në këtë treg janë të regjistruar si të punësuar mbi 9500 persona.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.