Sekuestrohen 1.3 milionë paketa me cigare kontrabandë në Doganën e Durrësit
Drejtoria e Hetimit Doganor, ka sekuestruar 2494 koli me cigare në Doganën e Durrësit, të cilat po transportoheshin kontrabandë, bën me dijë organi në faqen e tij zyrtare.
Gjatë kontrollit të kontejnerëve të cigareve është konstatuar se të gjitha paketat ishin pa pullë fiskale dhe më specifikisht u gjetën 1.247.000 paketa te markës “Manchester” lloji “Black Queen” dhe “Blue Queen”, shkruhet në njoftim. Në një periudhë tre mujore ky është kontejneri i tretë që ndalohet në përpjekje për të futur në treg ilegalisht cigare pa pullë.
Drejtoria e Hetimit Doganor e ka referuar rastin në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Durrës, për veprën penale: “Kontrabanda me mallra që paguajnë akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale “.
Organi deklaron gjithashtu se vlera e këtij malli nëse ai do të hidhej në treg përllogaritet të jetë rreth 184.6 milion lekë.
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.