Sekuestrohen 85 kg saçme për fishekë dhe bllokohet një punishte artizanale. Ndalohen dy shtetas
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në kuadër të evidentimit dhe parandalimit të veprimtarive të paligjshme të tregtimit të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve ka bllokuar një punishte artizanale. Gjatë kontrollit të dyqanit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi fishekzjarrësh me fuqi të lartë shpërthyese dhe lëndësh piroteknike.
Policia bën me dije në faqen zyrtare të Facebook, se në banesën e njërit prej të ndaluarve u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 85 kilogramë saçme që shërbejnë për mbushje të fishekëve të armeve te gjuetisë, të cilat prodhoheshin në ambientet e punishtes në mënyrë të paligjshme. Gjithashtu janë proceduar penalisht shtetasit K.K dhe A.K banues në Shkodër për prodhim të paligjshëm, armëmbajtje pa leje si dhe fshehje të të ardhurave.
Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër për veprime të mëtejshme.
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.