Sekuestrohet sasi e konsiderueshme cigaresh. Trajleri tenton të kalojë 636 mijë paketa pa pullë fiskale
Strukturat e Administratës Doganore kanë sekuestruar 1 272 koli cigare ose 636 mijë paketa në Doganën e Hanit të Hotit në Shkodër. Trajleri me targa të Bullgarisë ka hyrë në territorin doganor shqiptar nga Mali i Zi, ndërsa paketat nuk ishin të pajisura me pullë fiskale të Republikës së Shqipërisë apo të ndonjë vendi tjetër.
“Strukturat e administratës doganore pas një analize risku dhe dyshimeve të rëndësishme mbi arsyet e dokumentacionit shoqërues të një ngarkese me paketa cigare të mbërritur në pikën doganore të Hani Hotit në Shkodër ushtruan kontroll në një mjet me targa bullgare të ardhur nga Mali Zi.
Pas kontrollit fizik rezultoi se ngarkesa prej 1672 koli cigare të markës “President Full Flavour” nuk ishin pajisur me pullë fiskale të Republikës së Shqipërisë apo të ndonjë vendi tjetër.” – u shpreh Drejtori i Doganës, Gjon Bardhi.
Nëse kjo sasi paketash do të hidhej në treg, do të kishte një vlerë të konsiderueshme monetare.
“Cigaret u sekuestruan dhe po sot hetuesit e Drejtorisë së Hetimit të administratës doganore referuan Çështjen për Prokurorim në Gjykatën e Shkallës së Parë Shkodër.
Sipas specialistëve tanë, nëse ky mall do të hynte në territorin e Shqipërisë kapte vlerën e 99.7 milionë ose 960 mijë dollarëve. Specialistët e hetimit doganor së bashku me prokurorinë e Gjykatës së Shkallës së Parë po bën veprimet e mëtejshme.”
Trajleri së bashku me sasinë e mallit të sekuestruar janë referuar nga administrata doganore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.