“Selaniku” drejt shitjes – Vjen oferta e duhur, 231 mln euro për 67% të portit detar

Fondi i zhvillimit të aseteve në Greqi njoftoi se një konsorcium ka bërë një ofertë të përmirësuar për të blerë 67% të portit të Selanikut, për një vlerë totale prej 231 milionë eurosh.
Marrëveshja në total prek shifrën e 1.1 miliardë eurove, pasi veç parave të blerjes së 67% të kuotës së portit, përfshin rreth 190 milionë euro investime gjatë 7 viteve të ardhshme si dhe të ardhura nga koncesioni në mbi 170 milionë euro, plus dividentët.
Koncesioni, në bazë të ofertës së konsorciumit pritet të përfundojë në vitin 2051.
Porti i Selanikut, që është edhe më i madhi në vend, ka qenë shpeshherë në fokus, për shkak të përpjekjeve të shumta për ta blerë, por edhe për shkak të shtyrjes së afateve të shitjes. Fillimisht, porti iu premtua një kompanie kineze, por ky premtim nuk zgjati shumë.
Oferta e re, e një konsorciumi mes një firmë gjermane, greke dhe franceze, duket se do të jetë ajo e duhura për të bindur qeverinë që më në fund portit të Selanikut i erdhi radha.
Dosja e procesit të tenderimit do të kalojë përmes një procesi të gjatë auditimit gjatë javëve në vijim. Në fund të këtij procesi do të nënshkruhet edhe marrëveshja.
Morgan Stanley dhe Banka e Pireut kanë luajtur rolin e këshillatrëve financiarë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.