Separatistët në protestë – Spanja i bën thirrje Katalonjës që ti bindet qeverisë qendrore
Qeveria spanjolle i bëri thirrje popullit të Katalonjës që të pranojë kontrollin e drejtpërdrejt nga Madridi dhe të injorojnë udhëzimet nga lidershipi separatist i rajonit, pasi t’i hiqet autonomia.
Ky mesazh erdhi një ditë pasi Madridi vendosi të merrte hapin kushtetues për të “pushuar” qeverinë e Katalonjës, në mënyrë që të pengonte fushatën e pavarësisë dhe të reduktonte shqetësimet mbi trazirat ekonomike.
Vendimi, që do të bëhet efektiv këtë javë, ka nxitur protesta në Barcelonë nga mbështetësit e pavarësisë dhe është refuzuar nga presidenti i rajonit, Carles Puigdemont.
Zëdhënësi i parlamentit rajonal, Carme Forcadell, tha se nuk do ta pranojë lëvizjen e Madridit dhe akuzoi kryeministrin e Spanjës Mariano Rajoy për skenimin e një “grushti të shtetit”.
Ministri i jashtëm e Spanjës, Aflonso Dastis reagoi duke bërë thirrje për bindjen ndaj Madridid.
“Qeveria po përpiqet të rikthejë rendin ligjorë dhe rivendosë kushtetutën. Ne do të themelojmë autoritetet që do të drejtojnë çështjet e përditshme të Katalonjës, sipas ligjeve dhe normave të rajonit”, tha ai.
Liderët e Katalonjës thanë se nuk do ta pranojnë qeverisjen direkte nga Madridi, duke shkaktuar shqetësime se mbështetësit e pavarësisë do të përpiqen të sfidojnë qeverinë spanjolle kur të vijë koha që duhet të largohen nga detyra.
Plani i Rajoy ka ende nevojë për miratim nga senati, që është caktuar ditën e premte. Pasi të marrë miratimin e pritur, Madridi mund të marrë në kontroll të plotë financat, policinë dhe median publike të rajonit, si dhe të limitojë fuqinë e parlamentit rajonal për 6 muaj, deri sa të zhvillohen zgjedhje të reja rajonale.
Shqetësimet për mosbindje, kanë vënë nën presion investitorët për rajonin që përbën rreth 1/5-ën e ekonomisë spanjolle. Qindra kompani kanë transferuar bazat e tyre jashtë rajonit, dhe qeveria qendrore ka publikuar projeksione në rënie të ekonomisë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.