Serbët braktisin Malin e Zi për të pushuar në Shqipëri – Avantazh plazhet, çmimet dhe ushqimi

Shumë qytetarë nga Serbia kanë vendosur këtë verë të zbulojnë potencialin turistik të Shqipërisë, duke kaluar pushimet në Durrës ose Sarandë, ndryshe nga destinacionet e tyre të preferuara si Mali i Zi, Turqia apo Greqia.
Në intervistat e dhëna për të përditshmen serbe Blic, disa turistë serbë tregojnë për eksperiencën e tyre në bregdetin shqiptar. Shumica prej tyre shprehen se para nisjes kanë pasur disa paragjykime, të cilat janë thyer kur kanë zbuluar bukurinë e plazheve.
“E ndryshova qëndrimin që ditën e parë. Plazhet janë të pastra, çmimet në kafene dhe restorante janë më të ulëta se në Novi Pazar. Njerëzit janë të sjellshëm, sidomos me ne nga Serbia. Më të moshuarit madje flasin serbisht dhe bëjnë muhabet me ne. Absolutisht askush nuk i kushton vëmendje, apo flet për politikën”, thotë Aleksandar Niciforovic, i cili shton se në shtator do të rikthehet së bashku me shoqërinë e tij.
Ai shprehet se ka qenë me pushime në shumë vende më parë, por Shqipëria i ka hyrë në zemër për një kohë të shkurtë dhe është në avantazh ndaj Malit të Zi dhe Greqisë.
Një familje serbe tregon se është mrekulluar nga plazhi, aq sa ka vendosur të blejë një apartament në Durrës.
“Ne besojmë se ky është një investim i mirë, ata kanë një potencial të madh turistik dhe besojmë se Durrësi do të shndërrohet në një nga destinacionet kryesore në vitet në vijim. Sigurisht që do të jemi këtu çdo verë”, tregon një çift në moshë të mesme.
Interesi për plazhet shqiptare konfirmohet edhe nga agjencitë e udhëtimit, të cilat zbulojnë edhe çmimin e paketave.
“Ne ofruam hotele në plazhe, ku ka edhe pishina. Ushqimi është i shkëlqyer dhe klientët tanë ishin shumë të kënaqur me raportin çmim-cilësi. Paketa e plotë për 10 netë, ishte 390 euro”, thotë një nga agjencitë e Novi Pazarit.
Një tjetër agjenci tregon se shumca e atyre që zgjodhën të shkonin në Shqipëri, vitin e kaluar kishin shkuar në Mal të Zi, veçanërisht në Ulqin. Numri ka patur një rritje rreth 35% më të lartë se vitin e kaluar.
Shumë nga ata që shkuan si familje, tregojnë se kostoja ishte të paktën dy herë më e ulët se pushimet në Greqi. Shërbimi sipas tyre ka qenë i përsosur, ndërsa pijet, ushqimi dhe ëmbëlsirat në restorante është 30% më i mirë se në resortet verore.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.