Serbia progres me fondet e zgjerimit – Qendër koordinimi për projektet e rajonit?
Një delegacion i përbërë nga eurodeputetë të komisionit të kontrollit të buxhetit, kryesuar nga Derek Vaughan vlerësuan progresin që Serbia ka bërë në përdorimin e fondeve të zgjerimit nga BE. Sipas tyre, vendi ka arritur të implementojë me sukses synimet e përcaktuara nga BE në këtë drejtim.
Vaughan u shpreh gjatë konferencës për shtyp se Serbia deri tani ka tërhequr mbi 1.5 miliardë euro nga fondet e para anëtarësimit, por gjithsesi ka vend për përmirësim. Sipas tij, nëse do të kishte arritur të tërhiqte të gjitha fondet në dispozicion, kjo do ta kishte lejuar të zbatonte më tepër projekte lidhur me kapitujt e hapur për negocim.
“Gjatë këtyre shtatë viteve, Bashkimi Europian i ka akorduar Serbisë 1.5 miliardë euro për të mbështetur përgatitjen e vendit për anëtarësimin jo të largët në BE”, tha Vaughan.
Duke shtuar se BE e konsideron Serbinë pjesë të familjes europiane dhe u shpreh i kënaqur me përdorimin e fondeve të dhëna për të gjitha projektet.
I këtij mendimi ishte dhe eurodeputeti hungarez Szabolcs Fazakas, i cili theksoi se fonde të tilla duhen përdorur për të përgatitur vendin për integrim përmes reformave dhe luftës kundër korrupsionit. Në këtë aspekt Serbia i ka mirëpritur të gjitha rekomandimet e BE.
Fazakas, i cili është edhe anëtar i Gjykatës Europiane të Auditorëve, tha se projektet në Serbi janë duke u zbatuar sipas planeve dhe se institucioni shtetëror i auditimit është duke punuar me standardet më të larta.
Sipas tij, BE e konsideron Ballkanin si një të tërë, duke shtuar se Serbia mund të bëhet qendra e koordinimit për të gjitha projektet e implementuara në mbarë rajonin.
Në fund të vizitës dy-ditore delegacioni u shpreh i kënaqur për eficiencën në shpenzimin e fondeve të BE nga Serbia.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.