Seria A italiane në parajsa fiskale
Juventusi, Milani, Interi kontrollohen nga Holanda, Luksemburgu, Ishujt Cayman
Kampionati Italian i futbollit nis sezonin e ri këtë fundjavë. Janë 20 skuadra të cilat do të jenë në garë, secila për objektivat e paracaktuara.
Mes këtyre 20 skuadrave 7 prej tyre kontrollohen nga grupe të huaja. Çuditërisht, të shtata këto grupe e kanë bazën në vende të cilat njihen si parajsa fiskale, si Delaware në SHBA, Luksemburgu, Holanda, apo Ishujt Cayman. Udinese Milan do të luhet më 25 gusht, ditën e dielë, dhe do të jetë derby i parë luksemburgas i Serisë A të Italisë.
Të dyja ekipet drejtohen nga kompani, të cilat bazën e tyre e kanë pikërisht në vendin e vogël europian, i njohur si një parajsë fiskale. Madje janë të paktë edhe tifozët e këtyre dy ekipeve që janë në dijeni të një fakti të tillë.
Jo vetëm Seria A, por edhe ajo B si dhe ligat më inferiore janë të infektuara tashmë nga moda e re, të jenë nën kontroll nga kompani me bazë nëpër parajsa fiskale. Katër ndër 6 ekipet të cilat dolën në krye të klasifikimit të kampionatit të kaluar kontrollohen nga parajsat fiskale.
Juventusi, vendi i parë i kampionatit kontrollohet nga Holanda, Interi kontrollohet nga Luksemburgu dhe ishujt Cayman, Milani nga Luksemburgu por me rrënjë në Delaware dhe Roma po ashtu në Delaware.
Derbi i parë i Delaware në serinë a italiane do të luhet më 22 shtator, mes Romës dhe Bolonjës, një tjetër skuadër e “huaj”. Në Serinë B ndërkohë janë ekipe si Venezia apo Spezia, si dhe Como në Serinë C që kontrollohen nga parajsa fiskale.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.