“Sezon turistik i mjerë” – Basha: “Vetting” të gjitha koncesioneve të qeverisë
Kryetari i opozitës Lulzim Basha, në një takim me gazetarët, renditi tre problemet më të mëdha që sipas tij ka aktualisht vendi, krizën e sigurisë, krizën kushtetuese dhe atë ekonomike. I pyetur nga TV SCAN, lidhur me ecurinë e sezonit turistik, kryedemokrati Basha e cilësoi atë si një “sezon të mjerë”.
“Sezoni turistik, siç kanë vërejtur dhe mediat, ka qenë më i mjeri i dekadës së fundit. Për këtë mjafton të merrni përshtypjet e operatorëve turistikë, të hotelierëve, restoranteve nga Ksamili në Velipojë. Si mund të ketë një sezon të suksesshëm turistik në një Shqipëri qeverisja e së cilës ka braktisur detyrën dhe ka rendur pas qejfeve e lukseve, charterave privatë dhe pushimeve me kriminelët”, deklaroi Basha.
Ndërsa javën e ardhshme pritet të nisin fluturimet e kompanisë me kapital shqiptar “Air Albania”, Basha e cilësoi atë si një ndërmarrje korruptive, ndërsa deklaroi se të gjitha koncesionet e dhëna nga qeveria “Rama” do t’i nënshtrohen një procesi “Vettingu”.
“Air Albania është një ndërmarrje korruptive, e paligjshme, e shtetit shqiptar, e Edi Ramës. Nuk ka asnjë ndryshim nga PPP-të dhe koncesionet dhe aferat e tjera korruptive. Vetëm i jep Edi Ramës një mundësi të certifikuar, pra me ligj i jep mundësinë të ketë një shoqëri ajrore nën kontrollin total të tij. Ne e pamë se çfarë ndodhi kur Edi Rama krijoi flotën e avionëve të drogës, që i quajti mushkonja. Imagjinoni se çfarë do të ndodhë kur të ketë avionët e tij personalë. Pra absolutisht është një aferë korruptive, me sfond kriminal, e cila si çdo koncesion dhe çdo PPP do t’i nënshtrohet me ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike një legjislacioni të posaçëm që do ta bëjë vettingun të duket si piknik”, tha kryedemokrati.
Ndër të tjera, Basha nënvizoi se korrupsioni qeveritar i Ramës në 5 vite ka arritur në vlerën e 3.7 mld eurove, apo rreth 5 mijë euro për çdo familje. Sipas tij, përpos filtrimit të kontratave koncesionare, Partia Demokratike, ka prioritet ndërprerjen e lidhjeve të qeverisë me krimin.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.