Sezoni turistik – Klosi mbledhje me Task-Forcat: Mund të jetë i suksesshëm, por situata është ende problematike
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi vijon takimet me Task-Forcat e bregdetit në të gjitha bashkitë e vendit. Pas Velipojës, ministri u ndal në Sarandë ku në fokus të diskutimi ishte edhe zbatimi i vendimit të ri për ‘Stacionet e Plazhit’, i cili shton edhe detyrimet ligjore në kontratat me operatorët privatë. Ndërsa deklaroi se ky vit mund të sjellë më shumë turistë se viti i kaluar, Klosi tha se situata vijon të mbetet ende problematike.
“Ajo që kemi më shumë shqetësim është që viti 2019 mund të jetë me të njëjtat shifra si 2018-a, padyshim mund të ketë edhe më shumë se 218 por kjo nuk do të thotë që ne i kemi zgjidhur problemet kur ne akoma nuk jemi një destinacion turistik. Jemi në mes të prillit, në Sarandë, në zonën më turistike të vendit ku duam dhe kanë filluar të vijnë turistët e parë, ku duam dhe presim që të ketë kontrata që të fillojnë të paktën nga fillimi i majit dhe të mbarojnë në fund të teotrit dhe situata është realisht me shumë probleme përsa i përket pastërtisë, përsa i përket rregullave për të qenë një destinacion, me shumë probleme përsa i përket rregullave të menaxhimit të stacioneve të plazhit”, tha ministri Klosi.
Ndërsa ka evidentuar muzikën e lartë si një nga problematikat më shqetësuese, ministri Klosi u ka kërkuar bashkive që përmes Këshillave Bashkiakë që përcaktojnë zonat ku lejohet muzika.
“Muzika shumë e lartë dëmton shumë turizmin në qytete si Saranda. Vjet patëm në qarkun e Vlorës dy shembuj shumë pozitivë;l një ishte vendimi i këshillit bashkiak të bashkisë Himarë e cila përcaktoi ashtu sic duhej zonat se ku lejohej muzika dhe ku ishin zonat e kufizuara. Kishim po ashtu edhe shembullin shumë të mirë të bashkisë së Vlorës ku lënia në zonën e Lungomares, çdo të premte për muzikë non stop i dha shumë jetë fundjavës në Vlorë dhe shtoi biznesin e asaj zone. Kjo gjë kërkohet edhe sot, që bashkitë nëpërmjet këshillave bashkiakë të përcaktojnë zonën ku lejohet muzika, ku operatorët duhet të kenë muzikë me orar dhe ku pa kufizim”, theksoi ministri Klosi.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.