Sezoni turistik/ Kreu i AKU, Dritan Sejko: Masa të shtuara për garantimin e sigurisë ushqimore
Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Dritan Sejko në një mbledhje me dymbëdhjetë drejtorët rajonalë të AKU-së, gjatë ditës së sotme, ka kërkuar masa të shtuara dhe gatishmëri nga të gjitha drejtoritë rajonale të AKU-së, për të garantuar me efikasitet sigurinë ushqimore.
Kjo kërkesë nga ana e kreut të AKU ka ardhur edhe si rrjedhojë e shtimit të madh të numrit të turistëve që po vizitojnë Shqipërinë nga veriu në jug të vendit.
“Drejtoritë Rajonale të AKU-së , në zbatim të kërkesave të urdhrit të Kryeministrit Nr.33, date 29.03.2017 “Për miratimin e planit të masave përgatitore për sezonin turistik veror për vitin 2017 dhe për krijimin e Task-Forcës se menaxhimit te sezonit turistik veror”, dhe Urdhrit të Drejtorit te Përgjithshëm të AKU-së, do të jenë në terren për të inspektuar të gjithë operatorët e biznesit ushqimor të cilët, prodhojnë, përpunojnë dhe tregtojnë produkte ushqimore, si bare, restorante, Fast-Food-e, pastiçeri, supermarkete, minimarkete, njësi prodhimi dhe tregtimi ushqimore”, tha Dritan Sejko.
Në situatën e dyfishimit të numrit të turistëve që vizitojnë Shqipërinë në krahasim me vitet paraardhëse, mbështetur edhe në Taks-Forcën e ngritur për menaxhimin e sezonit turistik veror, kreu i AKU, Sejko njoftoi edhe ngritjen e trupave inspektuese të AKU-së në akset kryesore të vendit në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, aty edhe ku fluksi i turistëve është më i madh, për të qenë sa më pranë konsumatorit për t’i garantuar sigurinë ushqimore, duke paralajmëruar edhe tolerancë zero, për çdo operator biznesi që nuk plotëson kushtet e prodhimit, tregtimit dhe magazinimit të mallrave ushqimore.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit i bën thirrje të gjithë konsumatorëve shqiptarë që të denoncojnë pranë Portalit online “Inspektori Dixhital”, për çdo problem dhe shqetësim që ka të bëjë me sigurinë ushqimore.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.