Sfida madhore e “Rama 2” – Shqipëria, larg Europës. Duhet të krijojë 242 mijë vende pune

Sipas shifrave më të fundit të Eurostat, në të gjithë Bashkimin Europian numërohen 30.6 milionë persona mes 15 dhe 64 vjeç që janë të vetë-punësuar. E përkthyer në përqindje, norma fiksohet në 14% të totalit të të punësuarve.
Kjo normë ndërkohë varion në mënyrë mjaft të theksuar mes vendeve të kontinentit, dhe jo vetëm mes atyre të unionit. Normën më të lartë sipas Eurostat e regjistron Greqia, 29%, dhe ndiqet nga Italia me 21%.
Eurostat merr në vlerësim edhe Maqedoninë, Turqinë, Zvicrën, Islandën dhe Norvegjinë. Ndër to, normën më të lartë e regjistron Turqia, me 20%.

Po Shqipëria në cilat nivele qëndron? Të dhënat më të fundit të institutit të statistikave në vendin tonë, që i referohen, po ashtu si Eurostat vitit 2016, dhe së njëjtës grupmoshë, nga 15 deri në 64 vjeç, flasin për një normë të vetë-punësuarish pranë 34.9%, pra, rreth 2.5 herë më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian, dhe 1.5 herë më e lartë se ajo e Greqisë, që është vendi me normën më të lartë në Europë.
Në vendin tonë rezulton se ka rreth 403 mijë të vetë-punësuar. Për t`iu afrurar mesatares së Bashkimit Europian do të duhej që të kishte rreth 161 mijë të tillë. Pra, për të zbritur nën mesataren e unionit, shteti dhe ekonomia shqiptare duhet të stimulojnë krijimin e të paktën 242 mijë vendeve të punës.
Norma e lartë e të vetë-punësuarve në një ekonomi, tregon paaftësinë e shtetit që të gjenerojë vende pune nëpërmjet stimulimit të ekonomisë, incentivave për biznesin dhe politikave të ndryshme.
Këtë teori në fakt e vërteton edhe praktika: mjafton që të shohim vendet më problematike në këtë drejtim brenda unionit, që janë pikërisht Greqia me Italinë, dy prej ekonomive më të mjera. Vendet me normën më të ulët të të vetë-punësuarve ndërkohë janë: Danimarka, Estonia dhe Gjermania.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.