Shalsi takim me Drejtorët e bankave – Në fokus, përmirësimi i klimës së biznesit
Gjatë ditës së sotme është zhvilluar një takim midis drejtorëve të përgjithshëm të bankave dhe Ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi.
Sipas Shoqatës Shqiptare të bankave në fokus të diskutimit ishte përmirësimi i klimës së biznesit. Palët e pranishme në takim nuk harruan të theksojnë qëndrueshmërinë, besueshmërinë, fortësinë rregullative, likuiditetin e bankave dhe domosdoshmërinë e kreditimit të mëtejshëm.
Ata gjithashtu ngritën shqetësime në lidhje me efikasitetin e administratës publike, me trajtimin fiskal të bankave dhe biznesit, me çështjen e të drejtave të pronësisë, të de-euroizimit, të uljes së cash-it në ekonomi dhe luftës kundër informalitetit, të firmës elektronike, të vonesave në rimbursimin e detyrimeve nga shteti, të udhëzimit të dy ministrave për tarifat e shërbimit gjyqësor përmbarimor privat, të situatës aktuale, të mundësisë për financimin e ekonomisë dhe tema të tjera.
AAB njoftoi se gjatë takimit u shpreh vullneti për t’i trajtuar me radhë këto shqetësime drejt zgjidhjes së tyre.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.