Shanghai në karantinë, si pasojë e omicron – Autoritetet vendosin masa të ashpra, pritet të dëmtohet zinxhiri i furnizimit!

Shanghai raportoi një numër rekord të rasteve simptomatike me Covid-19, ndërsa një tendencë në rritje vihet re edhe në provincat e tjera të Kinës. Për këtë arsye, autoritetet kanë vendosur kufizime të ashpra për të parandaluar përhapjen e variantit shumë të transmetueshëm, omicron. Zona Ekonomike e Zhengzhou, ku gjenden kompanitë më të mëdha globale, si Apple dhe Foxconn, njoftoi një mbyllje 14-ditore të premten, për shkak të përkeqësimit të situatës epidemike.
Edhe në qytetin veriperëndimor kinez të Xian, autoritetet i bënë thirrje rezidentëve të shmangin udhëtimet e panevojshme, ndërsa kompanitë u udhëzuan të aplikojnë punësimin nga shtëpia. Shanghai, që është epiqendra e infektimeve të reja, raportoi një numër rekord prej 3,590 raste simptomatike dhe 19,923 raste jo simptomatike. Pavarësisht se është një numër shumë i vogël krahasuar me popullsinë, autoritetet vendosën në karantinë rreth 25 milionë banorët e Shanghait.
Vendosja e karantinave ka rikthyer shqetësimet se zinxhiri i furnizimit global do të përballet sërish me çrregullime. Gjithashtu, analistët kanë paralajmëruar se edhe rritja ekonomike në Kinë do të ngadalësohet gjatë këtij viti. Për këtë arsye, Banka Qendrore e Kinës uli sasinë e parave “cash” që bankat duhet të mbajnë si rezerva. Në të gjithë vendin, Kina raportoi 24,791 raste të reja, nga të cilat 3,896 ishin simptomatike.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.