Shansi i fundit për Britaninë – BE i jep May 2 javë kohë që të bindë parlamentin
Liderët e Bashkimit Europian paralajmëruan Britaninë se ka një mundësi të fundit për të dalë nga blloku me marrëveshje, pasi i dhanë kryeministres Theresa May 2 javë kohë deri më 12 Prill, që të bindë parlamentin të votojë marrëveshjen. Kryeministri i Belgjikës, Charles Michel, pasi mbërriti në ditën e dytë të samitit, tha se shpreson që parlamenti britanik të marrë një vendim racional, duke mbështetur marrëveshjen e Theresa May. Ai shtoi se po bëhen gjithashtu përgatitje për një dalje pa marrëveshje, ku rikthehen barrierat tregtare dhe kufizimet për bizneset.
“Ky është me shumë mundësi , shansi i fundit i Britanisë, për të thënë se çfarë kërkon në të ardhmen. Tani më shumë se kurrë, kjo gjë varet kryesisht nga parlamenti britanik. Bashkimi Europian është në dijeni të rreziqeve të daljes pa marrëveshje.”
Theresa May kërkonte që dalja e Britanisë të shtyhej deri më datë 30 Qershor, për të përfunduar procesin ligjor të Brexit. Por tashmë, do të aplikohet data 22 Maj, nëse parlamenti voton pro marrëveshjes së Kryeministres javën e ardhshme. Nëse kjo gjë nuk ndodh, Britania do të ketë kohë deri më 12 Prill që të ofrojë një plan të ri, apo të dalë nga Bashkimi Europian pa marrëveshje.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.