SHBA dhe BE do bashkëpunojnë për energjinë – Blinken: Do sigurojmë që furnizimet nuk ndërpriten nëse Rusia sulmon

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian premtuan të bashkëpunojnë për të siguruar se furnizimet me gaz të mos ndërpriten, ndërkohë që tensionet janë rritur prej mbledhjes së trupave rus në kufi të Ukrainës, që është furnitori më i madh i gazit. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, gjatë një konference së bashku me shefin e politikave të jashtme të BE, Josef Borrell, tha se Europës i duhet energji e përballueshme, veçanërisht në muajt e Dimrit dhe se siguria mbi energjinë lidhet ngushtë me sigurinë kombëtare.
Varësia e Europës ndaj gazit rus është vënë në dukje në muajt e fundit, ndërkohë që furnizimet më të ulëta nga Rusia dhe tensionet me Ukrainën, kanë nxitur një rritje të çmimeve pranë niveleve rekord të larta. Rusia ofron rreth 40% të nevojave të Europës për gaz natyror. Blinken tha se koordinimi me aleatët përfshin mënyrën më të mirë se si do të ndahen rezervat energjitike në rast se Rusia ndalon furnizimin. Shefi i Politikave të Jashtme i BE, Josef Borrell, tha se prioriteti kryesor është diversifikimi i burimeve të energjisë dhe fluksit të gazit, për të shmangur ndërprerjet dhe siguruar që tregu të mbetet likuid. Furnizimet më të ulëta se zakonisht të gazit nga Rusia në muajt e fundit, kanë bërë që zyrtarët e BE dhe Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë që të akuzojnë Moskën se po e bën qëllimisht. Gazprom ka deklaruar se po përmbush të gjithë kontratat afat-gjatë me kontinentin dhe Kremlini ka mohuar planet për një sulm.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.