SHBA dhe Europa kufizojnë fitimet ruse – Bashkëpunim për të ndaluar të ardhurat nga karburanti

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë përfshirë në diskutime shumë aktive me vende europiane për të kufizuar fitimet që Rusia mund të marrë nëpërmjet naftës. Deklarata u bë nga sekretarja amerikane e Thesarit Xhanet Jellen.
Përballë komisionit të financës në senatin amerikan ajo u shpreh se zyrtarët amerikanë janë të interesuar të frenojnë fluksin e naftës ruse në tregun global për të bllokuar cmimet dhe për të shmangur një rritje që do të shkaktonte një recesion.
Por ajo theksoi se objektivi absolut mbetet kufizimi i parave që shkojnë në buxhetin e Moskës, duke shtuar se ka shumë mënyra për të realizuar këtë plan. Një prej tyre është një vendim i klientëve për t’u bashkuar duke kufizuar cmimet që i paguajnë Rusisë.
Duke folur për ekonominë amerikane, Jellen tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përballen me nivele të papranueshme inflacioni. Ajo shtoi se vendi ka përpara sfida makroekonomike mes të cilave dhe nivelin e papranueshëm të inflacionit. Jellen tha se duhet një qasje e përshtatshme fiskale për të lehtësuar presionet e çmimeve pa vënë në rrezik ekonominë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.