SHBA do të blejë 10 milion trajtime të Pfizer – Nxiton të sigurojë pilulën në 530 USD për trajtim, nga 700 USD që kushton Merck
Pfizer deklaroi se qeveria e SHBA do të paguajë 5.29 miliardë dollarë për 10 milionë trajtime të ilaçit antiviral të Covid-19, ndërkohë që vendi po nxiton të sigurojë pilulën premtuese kundër sëmundjes. Marrëveshja është sa dyfishi i trajtimeve që Merck ka rënë dakord të furnizojë Shtetet e Bashkuara. Çmimi për pilulën anti-Covid të Pfizer është thuajse 25% më i ulët, në rreth 530 dollarë për trajtim, krahasuar me rreth 700 dollarë që kushton pilula e Merck.
Pfizer aplikoi këtë javë për autorizim emergjencë të ilaçit, që quhet Paxlovid, pasi raportoi se është 89% efektiv në parandalimin e shtrimit në spital apo vdekjeve tek personat në rrezik. Rezultati i provave tregon se Paxlovid kalon efektshmërinë e molnupiravir të Merck, që tregoi në muajin Tetor se përgjysmon rrezikun e vdekjes apo shtrimit në spital me Covid-19 tek pacientët me rrezik të lartë. “Ndërkohë që kjo pilulë nuk ka kaluar ende rishikimin e plotë të Agjencisë së Barnave (FDA), unë kam marrë hapa të menjëhershëm për të siguruar mjaftueshëm furnizime për popullin amerikan”- tha presidenti Joe Biden.
Ai shtoi se administrata po përpiqet të sigurojë që trajtimi të jetë lehtësisht i aksesueshëm dhe pa pagesë. Pfizer theksoi se do nisë dërgesat e trajtimit që këtë vit, nëse autorizohet nga agjencia në SHBA. Megjithatë, autoritetet thonë se vaksinimi do vazhdojë të jetë prioriteti për amerikanët, ndërkohë që pilula mund të mbajë njerëzit larg spitaleve, duke shpëtuar jetë. Pfizer ka bërë të ditur se pret të prodhojë 180,000 trajtime deri në fund të muajit të ardhshëm, dhe të paktën 50 milionë deri në fund të vitit 2022.
Vendet janë përplasur për të siguruar trajtime të Merck dhe Pfizer, pas të dhënave premtuese të publikuara nga kompanitë. Ilaçet e të njetjës kategori të pilulës së Merck janë lidhur me defekte në lindje tek studimet tek kafshët. Merck ka thënë se studime të ngjashme të ilaçit, për kohë më të gjatë dhe doza më të larta se ato të përdorura tek njerëzit, tregojnë se nuk shkaktojnë defekte në lindje apo kancer.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.