SHBA falenderon Shqipërinë – Trump, letër përgëzimi Ramës për dëbimin e ambasadorit iranian
Vendimi i Qeverisë shqiptare për dëbimin e ambasadorit iranian është përshëndetur nga instancat më të larta të Shtetit Amerikan. Dëbimi i ambasadorit Gholamhossein Mohammadnia dhe një diplomati tjetër nga ky vend erdhi për cenim të sigurisë kombëtare për komplot terrorist në tokën shqiptare.
Qëndrimi i Shqipërsië është vlerësuar nga Departamenti i Sigurisë, nga Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, nga Ambasada amerikane në Tiranë, e më tej qe vetë Presidenti Donald Trump që i ka dërguar një letër falenderimi Kryeministrit Edi Rama. Presidenti vlerëson në letër qëndrimin e Qeverisë Shqiptare, duke e quajtur vendin tonë një mik të madh të Shteteve të Bashkuara.
“I dashur Z. Kryeministër: Faleminderit për përpjekjet tuaja të palëkundura duke iu kundërvënë Iranit dhe duke iu kundërpërgjigjur veprimeve e përpjekjeve të tij destabilizuese për t’u mbyllur gojën disidentëve anembanë globit. Udhëheqësia e treguar nga ju me dëbimin e Ambasadorit të Iranit nga vendi juaj është shembull i përpjekjeve tona të përbashkëta për t’i treguar qeverisë iraniane se veprimet e saj terroriste në Evropë dhe përreth botës do të kenë pasoja të rënda. Shqipëria ka qenë gjithmonë një mike e madhe e Shteteve të Bashkuara dhe unë mirëpres rritjen e partneritetit tonë, ndërsa ballafaqohemi me çështjet e shumta të rëndësishme që të dy vendet tona hasin. Sinqerisht, Donald Trump” shkruhet në letrën e Presidentit të SHBA drejtuar kryeministrit shqiptar.
Reagime lidhur me vendimin e Qeverisë Shqiptare kanë ardhur edhe nga Teherani.
Deri më tani ka vetëm një deklaratë të zëdhënësit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit, Bahram Ghasemi. Në emër të qeverisë Iraniane, zëdhënësit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të këtij vendi, Bahram Ghasemi fajëson Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit për dëbimin e dy diplomatëve iranianë nga Shqipëria. Ata dhe vende të tjera, sipas Teheranit zyrtar, kanë punuar për të dëmtuar marrëdhëniet e Iranit me vendet europiane. Agjencia zyrtare e lajmeve IRNA citoi zëdhënësin e Ministrisë së Jashtme iraniane, Bahram Ghasemi që thotë se Irani ka respektuar gjithmonë marrëdhëniet e përzemërta me Shqipërinë duke respektuar të gjitha rregullat e këtij vendi europian bazuar në parimet e politikës së jashtme të Iranit.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.