SHBA i bën thirrje Rusisë për ulje tensionesh!
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken i ka bërë thirrje Rusisë që të ulë tensionet në krizën në Ukrainë, përpara negociatave të rëndësishme javën e ardhshme. Blinken është shprehur nëse vërtet duam të bëjmë përparim, duhet të shohim ulje tensionesh.
Këtë të hënë përfaqësuesit e SHBA dhe të Rusisë do të negociojnë në Gjenevë. Një takim i Këshillit NATO-Rusi është planifikuar për të mërkurën në Bruksel – i pari në dy vjet e gjysmë. Më pas, diskutimet do të zhvillohen të enjten në Vjenë në kuadër të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE).
Blinkeni i zbuti pritjet për negociatat dhe u shpreh se nuk mendon se do të shohim elementë kthese javën e ardhshme. Nga këndvështrimi i SHBA, për negociatat vlen parimi i reciprocitetit, vazhdoi Blinken. Çdo hap që hedhin Shtetet e Bashkuara dhe Europa, Rusia duhet t’i përgjigjet. Nga këndvështrimi i Uashingtonit, për negocim nuk janë as tërheqja e trupave amerikane nga Europa Lindore dhe as një premtim për moszgjerim të NATO-s.
Nga pala ruse, bisedimet e ardhshme do të drejtohen nga zëvendësministri i Jashtëm Sergei Rjabkov. Sipas RIA-s, ai tha paraprakisht se ishte shumë e mundur që diplomacia të merrte një fund të papritur pas vetëm një takimi. Pala amerikane gjithashtu kishte zbutur tashmë pritshmëritë në lidhje me bisedimet. DW
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.