SHBA, “kampion” i gazit në 2022/ IEA: Pritet të bëhet eksportuesi më i madh në botë duke kaluar Katarin
Shtetet e Bashkuara pritet të bëhen eksportuesi më i madh në botë i gazit natyror të lëngshëm në vitin 2022, duke kaluar Katarin dhe Australinë, dhe pritet ta mbajnë këtë titull për vite me radhë. Në një vit kur Kina dhe ekonomi të tjera në Europë dhe Azi kanë hasur vështirësi për të gjetur mjaftueshëm furnizim për ngrohje dhe gjenerim të energjisë, Shtetet e Bashkuara kanë pasur tepricë të ofertës, që pritet të rritet në vitet e ardhshme. Kërkesa botërore për gaz natyror të lëngshëm ka shënuar nivel rekord të lartë çdo vit që prej 2015-s, kryesisht prej rritjes së kërkesës nga Kina dhe pjesa tjetër e Azisë.
Shumica e kësaj kërkese është mbushur nga eksportet gjithnjë e në rritje nga Shtetet e Bashkuara, që ka shënuar rekorde të reja çdo vit që prej 2016-s, dhe pritet të vazhdojë në vitin 2022. Administrata e Informacionit mbi Energjinë në SHBA projekton që eksportet e gazit natyror të lëngshëm do të arrijnë 325,643,740 metra kub në ditë në vitin 2022. Kjo përbën thuajse 22% të të gjithë kërkesës botërore në vitin e ardhshëm, sipas analistëve të Goldman Sachs dhe kalon Australinë dhe Katarin, që janë 2 eksportuesit më të mëdhenj për momentin. Rreth 10% e shifrës së mësipërme ëshë mjaftueshëm gaz për 5 milionë shtëpi në SHBA në ditë.
Shtetet e Bashkuara duhet të qëndrojnë eksportuesi më i madh i gazit matur nga kapaciteti deri në vitni 2025, kur Katari të rifitojë titullin ndërkohë që nis shërbimi nga Fusha e Veriut në vend. Megjithatë, nëse disa zhvillues amerikanë nisin të ndërtojnë impiante të reja të eksportit, vendi mund të mos e humbasë titullin. Deri më tani për vitin, shumica e eksporteve të gazit LNG nga SHBA ka shkuar në azi me rreth 13% në Korenë e Jugut, 13% në Kinë dhe 10% në Japoni, sipas të dhënave energjitike në SHBA. Këto ishin gjithashtu 3 destinacionet kryesore edhe në vitin 2020.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.