SHBA kërcënon me “Nord Stream 2” – Gazësjellësi do të ndalojë nëse sulmohet Ukraina. Garanci nga Gjermania

Zyrtarët amerikanë i kanë thënë anëtarëve të Kongresit se kanë një mirëkuptim me Gjermaninë për të mbyllur gazësjellësin Nord Stream 2, nëse Rusia pushton Ukrainën. Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se Gjermania ka bërë premtime mbi tubacionin që kalon nga Rusia në Gjermani nën Detin Baltik, në rast të akteve agresive nga Rusia. Presidenti amerikan Joe Biden i tha liderit rus Vladimir Putin se Perëndimi është shqetësuar se Rusia do sulmojë Ukrainën dhe paralajmëroi për masa të ashpra ekonomike dhe të tjera, si ndëshkim, nëse Moska nis një konflikt ushtarak.
Këshilluesi i Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan, tha se fakti që gazi nuk po rrjedh ende përmes tubacionit Nord Stream 2, që drejtohet nga gjiganti rus Gazpriom, krijon fuqi për Perëndimin ndaj Putin. “Nëse Putin kërkon që gazi të kalojë përmes atij tubacioni, ai nuk do të dojë të rrezikojë pushtimin e Ukrainës”- tha Sullivan. Ai tha se SHBA ka qenë në bisedime me qeverinë që po largohet dhe të renë gjermane mbi Nord Stream 2, në rast të një sulmi të mundshëm.
Sipas burimeve, zyrtarët amerikanë kanë thënë se kanë marrë siguri nga Gjermania që tubacioni do të ndalojë, por nuk është e qartë nëse të dy palët kanë rënë dakord mbi përcaktmin se çfarë quhet sulm. Diplomatët europianë e kanë bërë të qartë se do të sanksionojnë gazësjellësin në rast të një sulmi.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.