SHBA-Kinë, “ulen gjakrat” Pas tensioneve të fundjavës palët do të rikthehen në tryezën e bisedimeve
Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se, Kina ka kërkuar rinisjen e negociatave tregtare mes dy vendeve.
Kjo kërkesë e pretenduar nga presidenti amerikan vjen vetëm pak orë, pasi negociatori kryesor i Pekinit bëri thirrje për qetësi, pas fundjavës që shënoi një përshkallëzim të ri të përplasjes mes dy vendeve dhe që çoi në një rënie të ndjeshme të tregjeve globale të aksioneve.
“Kina telefonoi mbrëmjen e djeshme njerëzit tanë të tregtisë dhe kërkoi të rikthehemi në tavolinën e bisedimeve”-nënvizoi presidenti amerikan duke shtuar se, ata e kuptojnë se si funksionon jeta.
Presidenti qartësoi faktin se, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta pranojnë ftesën e Kinës dhe do t`i rikthehen bisedimeve. Më herët kishte qenë zv.Kryeministri kinez ai që bëri thirrje për qetësi dhe ç`trensionim të situatës.
“Ne jemi të gatshëm ta zgjidhim problemin përmes konsultimeve dhe bashkëpunimit si dhe me një qasje të qetë. Ne jemi kategorikisht kundër përshkallëzimit të luftës tregtare”-deklaroi Liu. Këto komente qetësuan disi edhe tregjet e aksioneve.
Gjatë fundjavës të dyja vendet deklaruan një rritje të mëtejshme të tarifave tregtare, me Donald Trump i cili ishte i pari që deklaroi se prej 1 Tetorit, tarifa prej 25% mbi 250 miliardë dollarë importe nga Kina, do të ngjitej në 30%.
Ekspertë dhe ekonomistë të ndryshëm kanë ngritur së fundmi zërin se, kjo luftë tregtare mund të çojë ekonominë botërorë në recesion.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.