SHBA: Korea e Veriut, lehtësim nga sanksionet vetëm pas denuklearizimit të plotë!
Sanksionet e ashpra do të mbeten në Korenë e Veriut deri në denuklearizimin e plotë, tha sekretari i shtetit të SHBA-ve ditën e enjte.
Presidenti Donald Trump dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un dhanë një deklaratë të përbashkët pas takimit të tyre në Singapor që riafirmonte angazhimin e Veriut për të “punuar drejt denuklearizimit të plotë të Gadishullit Korean”,
“Presidenti Trump ka qenë tepër i qartë në lidhje me denuklearizimin dhe lehtësimin nga sanksionet,” tha sekretari i shtetit Mike Pompeo gazetarëve pas takimit me presidentin e Koresë së Jugut dhe ministrin e Jashtëm të Japonisë në Seul.
“Ne do të marrim denuklearizim të plotë, vetëm atëherë do të ketë lehtësim nga sanksionet, “tha ai.
Media e Koresë së Veriut njoftoi të mërkurën se Kim dhe Trump kishin njohur parimin e “hap pas hapi dhe veprimi të njëkohshëm” për të arritur paqen dhe denuklearizimin në gadishullin Korean.
Deklarata e samitit nuk dha detaje se kur Pyongyang do të heqë dorë nga programi i armëve bërthamore apo se si mund të verifikohet çmontimi.
V.H/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.