SHBA, kosto e mbylljes së Qeverisë – Vlerësohet në $3 mld. Pritet ende një dakordësi për murin
Ekonomia e Shteteve të Bashkuara pritet të humbasë 3 miliardë dollarë nga mbyllja e pjesshme e qeverisë, sipas hulumtuesve në kongres, ndërkohë që ditën e Hënë, 800,000 punonjës federalë u kthyen në punë pas 35 ditësh pa pagesë.
Zyra e Buxhetit bëri të ditur se kosto e mbylljes do të sjellë një ngadalësim me 0.2% të ekonomisë në vitin 2019. Efektet më të mëdha do të ndihen nga bizneset individuale dhe punëtorët, veçanërisht ata që kanë hasur vështirësi në pagesa.
Në total, ekonomia e SHBA humbi rreth 11 miliardë dollarë gjatë periudhës 5-javore.
Por, 8 miliardë dollarë pritet të rikthehen, ndërkohë që qeveria është rihapur dhe punëtorët kanë marrë pagën. Mbyllja më e gjatë e qeverisë në historik përfundoi ditën e Premte, kur Trump dhe Kongresi ranë dakord për financim të përkohshëm të agjencive federale, pa përfshirë murin me Meksikën.
Presidenti republikan kishte kërkuar që ligji për të financuar qeverinë të përmbante 5.7 miliardë dollarë për ndërtimin e murit në kufi me Meksikën. Ai thotë se kjo do të jetë e nevojshme për të ndaluar emigrimin e jashtëligjshëm, trafikun njerëzor dhe kalimin e drogës.
Një komision i politikanëve republikan dhe demokrat ka planifikuar një takim këtë javë, ndërkohë që përpiqen të negociojnë për sigurinë në kufi përpara datës 15 Shkurt.
Trump ka thënë se është i gatshëm ta mbyllë përsëri Qeverinë nëse politikëbërësit nuk bien dakord për një marrëveshje mbi sigurinë në kufij.
Presidenti ka thënë gjithashtu se do të përdorë gjendjen e emergjencës kombëtare për të marrë paranë për të financuar ndërtimin e murit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.