SHBA “mbron” firmat vendase – Ashpërson rregullat për blerjet e huaja, goditje për Kinën
Autoritetet në Shtetet e Bashkuara kanë refuzuar të paktën 9 blerje të huaja drejt kompanive vendase deri më tani për vitin, një numër rekord që sjell një goditje për iniciativën e firmave kineze.
Këto refuzime tregojnë se Komisioni për Investimet e Huaja në SHBA (CFIUS), që shqyrton blerjet nga entet e huaja për rreziqe të mundshme të sigurisë kombëtare, po bëhet më shmangës ndaj riskut nën Presidentin Donald Trump.
Kompanitë kineze dhe investitorët që synojnë aktivet amerikane mund të përballen me barriera, në një kohë që edhe Qeveria kineze po kufizon daljen e kapitalit nga vendi.
Që prej fillimit të 2017-ës, janë lajmëruar 87 blerje të kompanive amerikane nga firmat kineze, një shifër rekord e madhe dhe sipër 77 marrëveshjeve të prezantuara në të njëjtën periudhë të vitit 2016.
Qasja më konservatore e Komisionit për Investimet e Huaja vjen në të njëjtën kohë me rritjen e tensioneve politike dhe ekonomike mes SHBA dhe Kinës. Më herët gjatë javës, të dy vendet dështuan të bien dakord mbi masat për të reduktuar defiçitin tregtar të Shteteve të Bashkuara me Kinën.
Shumica e këtyre blerjeve, që janë refuzuar, i përkasin sektorit të teknologjisë. Komisioni deklaron se në një kohë të rritjes së kërcënimeve kibernetike dhe zhvillimit të shpejtë të teknologjisë, është bërë më e vështirë të vlerësohet nëse një marrëveshje përbën rrezik apo jo. Ndër kompanitë që kanë marrë refuzimin e komisionit është edhe Ant Financial, që synon të blejë MoneyGram për 1.2 miliardë dollarë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.