SHBA në kundërsulm – Do të akuzojë “FCA” për mashtrim, rrezikon $4.6 mld

Departamenti i drejtësisë në shtetet e bashkuara në ditët në vijim do të hidhet në sulm ndaj Fiat Chrysler sa i përket akuzave për manipulim të testeve anti-ndotje.
Kompania e ka mohuar vazhdimisht që ta ketë bërë diçka të tillë. Kjo vjen në një kohë që Komisioni Europian ka hapur një hetim ndaj Italisë, duke e akuzuar se nuk ka bërë kontrollet e nevojshme.
Aksionet e Fiat Chrysler janë regjistruar në rënie të ndjeshme pas lajmeve për një akuzë konkrete nga drejtësia amerikane.
Sipas Bloomberg, kjo lëvizje vjen pasi pritet që negociatat mes kompanisë dhe autoriteteve amerikane të dështojnë, duke e bërë të pashmangshme akuzën ligjore.
Fiat Chrysler akuzohet të ketë instaluar software në makinat e saj me qëllimin për të manipuluar testet anti-ndotje, ashtu siç bëri Volksëagen, në skandalin gjigand që tashmë njihet me emrin dieselgate.
Sipas agjencisë amerikane të mbrojtjes së ambientit, Fiat Chrysler mund të përballet me sanksione që shkojnë deri në 4.6 miliardë dollarë. Pak muaj më parë, agjencia akuzoi kompaninë se ka instaluar në 104 mijë makina këtë software.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.