SHBA nuk di të ndalet. Papunësia bie në 4.7%, FED gati të ndërhyjë

Punësimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës konfirmon vrullin edhe përgjatë shkurtit duke rritur kështu ndjeshëm gjasat për një ndërhyrje të Rezervës Federale në normat e interesit gjatë këtij muaji.
Punësimi është rritur kështu me 235 mijë persona gjatë muajit të kaluar, duke marrë shtysë kryesisht nga sektori i ndërtimit, ku punësimi ka prekur rekordin më të lartë të 10 viteve të fundit. Sektori merr shtysë nga kushtet atmosferike jo të zakonshme, pra me mot të ngrohtë.
Edhe shifra e Janarit është rishikuar në territor pozitiv, në rritje me 238 mijë vende pune, nga 227 mijë që vlerësohej paraprakisht. Rezerva Federale sinjalizoi javën e kaluar ndërhyje në rritjen e normave të interesit gjatë takimit të 14 dhe 15 Marsit.
Tregjet i japin shanset e ndërhyrjes në mbi 70%. Shifrat mbi punësimin duket se janë drita jeshile për Rezervën Federale që të vijojë politikat shtrënguese monetare me synimin për ti normalizuar gradualisht ato pas një epoke 8 vjeçare lehtësuese.
Papunësia në vend ka rënë kështu në 4.7% gjatë Shkurtit, nga 4.8% që ishte më parë, dhe tregu vazhdon t`i afrohet kapacitetit të plotë. Gjatë Shkurtit, edhe pagat regjistrohen në rritje të lehtë, me 0.2% në orë. Të dhënat e shkurtit rezultojnë bindshëm mbi pritshmëritë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.