SHBA shton tarifa për 4 miliardë dollarë mallra europiane. Shkak debati Airbus-Boeing
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shtuar më shumë produkte të Bashkimit Europian në listën e mallrave që thuhet se do të ‘goditen’ me tarifa të tjera, si një mënyrë hakmarrëse ndaj mosmarrëveshjes së gjatë mes Boeing Co dhe Airbus SE. Zyra e Përfaqësuese e Tregtisë (USTR) në Washington, publikoi një listë prej 4 miliardë dollarësh mallra të BE-së, që synohen të tarifohen si pasojë reduktimit të avionëve europian. Produktet e përfshira variojnë nga frutat tek mishi, djathi, ullinjtë, makaronat së bashku me disa lloje pijesh alkoolike dhe tubash ndërtimi. Këto i shtohen një liste mallrash të BE-së me një vlerë prej 21 miliardë dollarësh sipas publikimit të USTR në Prill, bën me dije komunikata e zyrës tregtare.
BE ka një rast të ngjashëm në pritje kundër Boeing dhe ka përgatitur edhe ajo nga ana e saj tarifa kundërshtuese. Këto reagime nuk bëjnë asgjë tjetër përveç se të shtojnë tensionet tashmë ekzistuese mes Washingtonit dhe Brukselit. Nën qeverisjen e Trump, SHBA ka bërë thirrje për ndryshime gjithëpërfshirëse në OBT me bazë në Gjenevë dhe aktualisht po bllokon kandidatët në panelin e saj të apelit, një masë që mund të paralizojë kapacitetin e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të institucionit deri në fund të vitit.
USTR tha se një dëgjim publik për produktet e propozuara shtesë prej 4 miliardë dollarësh do të mbahet më 5 gusht. Ajo vlerëson se subvencionet e BE për Airbus shkaktojnë rreth 11 miliard dollarë dëm ekonomik në SHBA çdo vit. Organizata Botërore e Tregtisë afirmon se subvencionet e BE-së shkelin rregullat e tregtisë ndërkombëtare dhe pritet të vendosë këtë verë mbi sasinë e kundërveprimeve që mund të imponojnë Shtetet e Bashkuara.
Burimi: Bloomberg
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.