SHBA, tarifa 100% ndaj Francës- “Taksa dixhitale diskriminon firmat amerikane”. Le Maire: ‘E papranueshme!’
Shtetet e Bashkuara propozuan vendosjen e tarifave deri në 100% ndaj 2.4 miliardë dollarë mallra francezë, pas vlerësimit se taksa e Francës ndaj shërbimeve dixhitale dëmton kompanitë amerikane. Shtetet e Bashkuara nisën hetimin ndaj taksës së planifikuar nga Franca për shërbimet dixhitale dhe akuzuan qeverinë franceze për shenjestrimin e padrejtë të kompanive amerikane. Ministri francez i Financave, Bruno Le Maire, reagoi menjëherë duke thënë se propozimi i SHBA është i papranueshëm dhe se Bashkimi Europian do të jetë i gatshëm për kundërpërgjigje.
”Sanksionet kundër Francës janë të papranueshme, sidomos nga një vend aleat. Taksa franceze ndaj aktiviteteve dixhitale synon të vendosë drejtësi fiskale, në mënyrë që këto gjigantë të mos paguajnë më pak taksa se sa një kompani e vogël dhe e mesme, apo një dyqan i thjeshtë në Francë. Taksa shenjëstron kompanitë amerikane, por edhe ato kineze e europiane, prandaj nuk është diskriminuese.” – ka theksuar Bruno Le Maire, Ministri francez i Financave.
Në një deklaratë në fillim të kësaj jave, Zyra e Përfaqësuesit të Tregtisë në SHBA, bëri të ditur se ka përfunduar fazën fillestare të hetimit dhe ka vlerësuar se taksa franceze diskriminon kompani si Google, Apple, Facebook dhe Amazon. Zyra e Tregtisë po kërkon reagimin e publikut për këtë veprim, që përfshin tarifa deri në 100% ndaj produkteve franceze si shampanja, djathi dhe çantat e dorës. SHBA po hetojnë nëse do hapin hetime edhe ndaj taksës dixhitale të Austrisë, Italisë e Turqisë. Kjo masë vendos një taksë prej 3% ndaj të ardhurave totale vjetore të gjeneruara nga shërbimet dixhitale, që synojnë përdoruesit francezë.
Taksa aplikohet vetëm ndaj kompanive me të ardhura totale nga shërbimet prej të paktën 750 milionë euro në të gjithë botën dhe 25 milionë euro në Francë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.