SHBA-të heqin sanksionet ndaj Turqisë për ofensivën në Siri, Trump njofton: “Kemi arritur një marrëveshje speciale”
Në një dalje konference për shtyp së bashku me zv.presidentin Mike Pence dhe Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo, president i SHBA-ve, Donald Trump foli për situatën në Sirinë verilindore.
Trump tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të tërheqin sanksionet ndaj Turqisë dhe se Ankaraja ka rënë në dakordësi për ta bërë armëpushimin me forcat Kurde “të përhershëm”.
“Sanksionet do të hiqen, deri në momentin që ndodh diçka që ne nuk do të jemi të lumtur” – tha presidenti, duke e përshkruar krijimin e një zone të sigurtë si një sukses të jashtëzakonshëm.
“Duke e bërë armëpushimin të qëndrueshëm, ne kemi bërë diçka shumë speciale” – duke shtuar më tej: “Mijëra jetë Kurdësh janë shpëtuar prej saj”.
Këto komente të presidentit amerikan vijnë vetëm një ditë pas takimit të presidentit turk, Erdogan me kolegun e tij rus Vladimir Putin. Në një konferencë të përbashkët dy liderët u shprehën se kishin rënë në dakordësi për një marrëveshje për të larguar forcat Kurde në një rreze prej 30 kilometrash larg nga kufiri me Turqinë.
Turqia e filloi ofensivën e saj ushtarake në Sirinë verilindore më 9 tetor, me qëllimin për të krijuar një zonë të sigurtë përgjatë kufirit të saj, e cila do të përdoret për të zhvendosur 3.6 milion refugjatë sirianë, që momentalisht po qëndrojnë në territorin e Turqisë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.